Qindra protesta u zhvilluan të shtunën në Francë kundër rritjes së kostos së jetesës, ndërsa autoritetet angazhuan forca të shumta policore për të parandaluar përsëritjen e dhunës së fundjavës së kaluar. Sipas ministrit të Brendshëm Laurent Nunez, në të gjithë vendin u arrestuan afro 1 mijë persona, pasi policia u përball me dhunë jashtëzakonisht të lartë nga grupe ekstremistësh të veshur me të zeza, të cilët hodhën sende dhe fishekzjarrë drejt efektivëve.

Përplasje shpërthyen në fund të marshimit në Paris, në pjesën lindore të kryeqytetit, ku policia përdori shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe topa uji. Dy persona mbetën të plagosur rëndë, njëri në Tuluzë — ku një 20-vjeçar raportohet se humbi disa gishta nga një shpërthim — dhe tjetri në Clermont-Ferrand. Në Marsejë, ku marshimi mblodhi rreth 17 mijë pjesëmarrës sipas policisë, pati përplasje në periferi të marshimit, ndërsa gaz lotsjellës u përdor edhe në Lion, Lilë, Montpellier, Nantë dhe Tuluzë. Policia sekuestroi gjithashtu armë dhe sende të rrezikshme, mes tyre sfera metalike, fishekë, fishekzjarrë, llastiqe dhe një katana.

Ministria e Brendshme vlerësoi se rreth 410 mijë persona morën pjesë në protesta në të gjithë vendin, përfshirë 110 mijë në Paris, ndërsa sindikata CGT foli për 800 mijë pjesëmarrës. Muzeu i Luvrit, Muzeu d’Orsay, Muzeu Picasso dhe Grand Palais qëndruan të mbyllur të shtunën për arsye sigurie. Ndërkohë, lëvizja e Jelekëve të Verdhë njoftoi një valë tjetër protestash më 31 tetor.

Burimi: Top Channel