Zbulohen detaje të reja nga urdhri i kryeministrit Edi Rama, i cili i kërkoi të enjten pasdite ministrave dorëheqjen e drejtorëve të agjencive shtetërore në Tiranë edhe në rrethe në varësi të tyre.

Burime qeveritare i pohuan Top Channel se drejtorët që preken do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë, pasi faza e parë e këtij operacioni ka të bëjë vetëm me administrimin përmes një shkrese të dorëheqjes.

Në fazën e dytë do të vijohet me analizimin e performancës së çdo drejtori të dorëhequr.

Qeveria deri më tani nuk ka bërë asnjë koment për këtë valë të kërkuar dorëheqjesh, por të njëjtat burime qeveritare pohuan për Top Channel se kjo lidhet me avancimin e idesë së kryeministrit për meritokraci në administratë.

Kjo shihet si hapje rruge për Ministren e Administratës Publike Adea Pirdeni, e cila u votua dje në parlament si ministre dhe është betuar sot në Presidencë.

Janë më shumë se 130 drejtues agjencie në nivel qendror dhe lokal që duhet të japin dorëheqjen e kërkuar. Sipas të njëjtave burime, ky nuk është një rast i izoluar i ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama – të tilla dorëheqje janë kërkuar edhe në 2021 dhe në 2023.