Në një takim në Korçë që kishte në fokus luftën kundër trafikut të fëmijëve, zëvendësministrja e Brendshme, Silva Caka, ka komentuar veprimet e policëve në protestat e fundit, duke pranuar se ka pasur raste kur policia nuk ka reaguar, raste kur ka ndërhyrë në mënyrë proporcionale, por edhe raste kur, sipas saj, ka tejkaluar kompetencat.

“Janë aktualisht 7 efektivë të pezulluar nga vetë Policia e Shtetit, të cilët i janë shtruar hetimit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Gjithashtu këta janë referuar nga Policia e Shtetit, kemi 4 të hetuar kryesisht nga vetë AMP-ja dhe janë edhe 55 ankesa të paktën deri në këto momente që flasim, janë 55 ankesa nga qytetarë të ndryshëm të cilët kanë sinjalizuar tejkalimin e detyrës nga policë të ndryshëm. Të gjitha ankesat do të shqyrtohen dhe do të kthehet një përgjigje”, tha Silva Caka, zëvendësministre e Brendshme.

Zëvendësministrja paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që të rinjtë të përfshihen në situata të nxitura nga persona të tjerë dhe të përfundojnë me përgjegjësi penale.

“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë dhe fëmijët që po marrin pjesë në këtë protestë të njihen me individë të cilët nuk janë aty për t’i ndihmuar që të çojnë përpara mesazhet e tyre, por janë aty për t’u mësuar edhe atyre se si duhet të sillen”, tha ajo.