Kryeministri Edi Rama doli sot në një deklaratë për mediat, ku foli lidhur me protestat në vend, duke pretenduar se përshkallëzimi i dhunës është “përgatitur prej disa muajsh”.

“Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë përmes doganës dhe nga subjekte të caktuara, janë tanimë në duart e Policisë së shtetit”, tha Rama.

“Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ‘Antifa’, rrjeti i terrorit urban që në emër të neokomunizmit, anarkisë edhe anti-kapitalizmit ka vendosur të futet në jetën e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë së shtetit”, u shpreh kryeministri.

“Por në duart e Policisë së shtetit janë edhe pjesëmarrësit apo më saktë një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para’ e ardhur nga jashtë, ku padyshim qershia mbi tortë ose më saktë glasa mbi tortë është Partia Demokratike, e cila dje mori dhe autorësinë e fillimit të dhunës tek Ministria e Arsimit”, tha Rama.

“Tani unë do të ndaj me ju pamje të cilat me siguri do të tronditin shumëkënd”, shtoi ai, duke premtuar se “nesër do t’ju ekspozojmë të tjera gjëra”.

Rama e cilësoi dhunën si “krim i parelativizueshëm dhe i pajustifikueshëm”, ndërsa lirinë për të protestuar e quajti “e drejtë e pamohueshme dhe e padiskutueshme e çdo qytetari në Shqipëri”.