Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të shkojë përtej një deklarimi politik mbi protestat e dhunshme në Tiranë, duke publikuar të dhëna për persona të arrestuar dhe duke i lidhur veprimet e tyre me pretendime për organizim të qëllimshëm, financim nga krimi i organizuar dhe ndërhyrje të forcave të huaja.

Përmes publikimit të fotografive me sytë e mbuluar, inicialeve dhe referencave ndaj precedentëve penalë, Rama u përpoq të bindte se dhuna gjatë protestave nuk ishte thjesht produkt i përplasjeve në rrugë, por pjesë e një skenari të përgatitur prej muajsh.

Kryeministri shkoi edhe më tej, duke pretenduar se në protestë janë përfshirë grupe të lidhura me rrjetin ANTIFA, se një pjesë e pjesëmarrësve janë financuar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja, si dhe se në Shqipëri janë futur maska dhe lëndë eksplozive përmes subjekteve të caktuara.

“Tani unë do ndaj me ju pamje që do trondisin shumëkënd. Këta persona nuk janë student, janë diçka tjetër. Ata shikojnë te dhuna për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë dhe për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të kontratës me shqiptarët”, tha mes të tjerash Rama.

“Sot jam këtu për të ekspozuar një komponent që e kam komentuar mes shumë përqeshjeve. Qysh se nisi protesta paqësore masive e flamengove, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime. Por se qysh në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera, ka qenë një fakt”, u shpreh kryeministri.

Burimi: report.al, 23.10.2026.