Pedagogët marshuan sot nga Universiteti Politeknik për të mbërritur pranë Kuvendit, ku po zhvillohej seanca plenare, duke iu bashkuar protestës së studentëve.

Pasi u përballën me gardhin metalik të vendosur nga policia pranë godinës, protestuesit e shembën atë dhe më pas u përballën me forcat e FNSH-së, të cilat ishin vendosur pak metra më pas. Pranë protestuesve qëndron edhe një autobot uji, ndërsa policia i ka paralajmëruar disa herë me megafon. Në momentin e raportimit, seanca plenare ishte mbyllur tashmë.

Marshimi i pedagogëve drejt Parlamentit ishte paralajmëruar që në mëngjes, pasi më herët ditën studentët kishin protestuar para Ministrisë së Arsimit. Përfaqësues të pedagogëve janë shprehur se do të jenë në krah të studentëve në kërkesat e tyre.

Burimi: Top Channel