Është mbyllur seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, pas më shumë se një ore tensionesh dhe sherri fizik mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe atyre të Partisë Socialiste.

Seanca nisi me tensione që në fillim, në ditën e parë të punimeve pas protestave të dhunshme. Kryeparlamentari Niko Peleshi, për shkak të situatës, kaloi direkt në votim. Ndërsa ai lexonte me shpejtësi nenet dhe projektligjet për votim, mazhoranca mbante në duar kartonët jeshilë, ndërsa opozita përmbysi karriget, bllokoi foltoren dhe më pas nisi të hidhte kartonë dhe shishe uji drejt karrigeve të PS-së.

Deputetët e PD-së kishin bllokuar foltoren që në nisje të seancës, duke kërkuar diskutim për dhunën ndaj studentëve dhe lirimin e tyre ("Lironi studentët"). Përplasja fizike ndodhi mes deputetit të PD-së, Fidel Kreka, dhe ish-ministrit Ervin Hoxha; raportimet flasin edhe për ndërhyrjen e Gardës dhe përplasje mes Flamur Nokës dhe deputetëve të mazhorancës, ndërsa Noka u pa të grabitte kartonët e votimit të deputetëve të mazhorancës. Kreu i PD-së, Sali Berisha, "dirigjoi" aksionet nga vendi i tij, ndërsa Peleshi ia doli të kalonte për votim të gjitha pikat para se të mbyllte punimet.

Opozita e kishte njoftuar më herët se do ta pengonte zhvillimin normal të seancës, ndërsa Partia Demokratike ka kërkuar lirimin e studentëve të arrestuar gjatë protestave dhe diskutimin e dhunës policore në parlament.

Burimi: Top Channel