Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një pjesë të masave ndëshkuese që po përgatiten për ata që u përfshinë në akte dhune në protesta, gjatë takimeve me efektivët e policisë, mësuesit dhe përfaqësuesit e bankave.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu mëson se një grup juristësh në Kryeministri po finalizon një dokument propozues, duke bashkëpunuar edhe me ekspertë francezë për një model franko-shqiptar kundër dhunuesve të pronës publike e private. Synimi është që BE të hapë një front anti-vandalizëm.
Si pjesë e paketës propozohet përfshirja në një listë të zezë në sistemin TIMS e personave që kryejnë akte dhune gjatë protestave, me synimin për t'u ndaluar hyrjen në vendet e Bashkimit Europian — një masë që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë sidomos te të rinjtë që duan të largohen pas përfshirjes në akte dhune, apo që duan të studiojnë, jetojnë apo udhëtojnë në vendet e BE-së.
Po hartohet gjithashtu një regjistër i posaçëm për dokumentimin e rasteve kur persona apo profile kërcënojnë haptaz qytetarët, bëjnë thirrje për sulme dhe nxisin akte dhune në rrjetet sociale. Çdo rast do të ruhet me provat përkatëse dhe do t'u referohet autoriteteve për verifikim dhe ndjekje ligjore.
Paketa parashikon se, kur verifikohet një person konkret, do të bashkëpunohet edhe ndërkombëtarisht dhe do të njoftohen kompanitë ajrore, agjencitë e udhëtimit dhe platformat e rezervimeve për sjelljen vandaliste të individit. Për personat e dënuar për dhunë, njoftimi do të jetë automatik dhe për tre vjet ata do ta kenë të pamundur të marrin bileta avionësh dhe të bëjnë rezervime në hotele.
Burimi: TV21.tv (sipas gazetarit Top Channel Muhamed Veliu




Leave a Reply