Të paktën 12 gazetarë dhe punonjës të medias janë sulmuar fizikisht gjatë mbulimit të protestave në Shqipëri, në periudhën 13–19 tetor. Kështu thuhet në raportin e organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF), sipas së cilës shumica e incidenteve përfshijnë efektivë të policisë, ndërsa janë raportuar edhe raste frikësimi, pengimi të raportimit dhe dëmtimi të pajisjeve mediatike.
Sipas RSF-së, gjatë periudhës 13–19 tetor janë dokumentuar 28 raste dhune, frikësimi dhe përpjekjesh për të penguar raportimin, që prekin të paktën 23 profesionistë të medias. Të paktën 10 episode përfshijnë përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës fizike ndaj gazetarëve, përfshirë goditje, shqelma, shtyrje dhe largim me forcë nga zonat ku po kryenin detyrën.
Drejtori i Byrosë së RSF-së në Pragë, Pavol Szalai, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të ndalojë deklaratat që, sipas organizatës, kontribuojnë në frikësimin e medias për raportimin e protestave. RSF kërkoi gjithashtu që Bashkimi Evropian të vlerësojë zbatimin në praktikë të angazhimeve të Shqipërisë për lirinë e medias, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Organizata bën thirrje për hetime të pavarura, ndëshkimin e personave përgjegjës dhe kërkon që Parlamenti shqiptar të shqyrtojë reagimin e autoriteteve gjatë protestave.
Burimi: Report TV/Report.al




Leave a Reply