Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme, në orën 10:00, përpara Universitetit, në një videomesazh të publikuar sot, në ditën e tetë të protestave.

Në mesazh, Berisha akuzoi qeverinë për dhunën ndaj studentëve dhe të rinjve, duke deklaruar se ata “u ngritën si feniksi nga hiri”, ndërsa u kërkoi qytetarëve të mos i lënë vetëm në protestën e tyre. Ai pretendoi se gjatë një jave mbi 2 mijë vajza, djem, gjimnazistë, të mitur e studentë janë dhunuar, ndaluar apo arrestuar, dhe e akuzoi kryeministrin Edi Rama për atë që e quajti “platformë kriminale e terrorit të kuq”, me mercenarë e mjete të teknologjisë së terrorit.

Sipas Berishës, protesta e sotme e mijëra asistentëve, pedagogëve e profesorëve në mbështetje të studentëve “përmbysi platformën e terrorit të kuq të Edi Ramës”. “Çdo ditë që Edi Rama nuk jep dorëheqjen, Shqipëria ka një kosto më të lartë”, tha ai, duke ftuar qytetarët e të gjitha bindjeve politike të zbresin në shesh: “Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në ora 10:00 para universitetit, gjer në fitore.”

Burimi: Top Channel