Në ditën e tetë të protestave antiqeveritare, Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare ditën e enjte, më 22 tetor, në orën 10:00, me urdhër të firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. Kujtojmë se seanca e së enjtes së kaluar u anulua për shkak të protestave.
Sipas rendit të ditës, janë parashikuar disa interpelanca me ministra, mes tyre një interpelancë urgjente e kërkuar nga deputetët e opozitës me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo. Deputeti Ermal Pacaj dhe deputeti Tedi Blushi kanë kërkuar ndërkaq interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ndërsa Blushi ka kërkuar gjithashtu një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në rendin e ditës përfshihet edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, si dhe disa projektligje që lidhen me shërbimet e pagesave, parandalimin e pastrimit të parave, të drejtat e autorit dhe treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.
Burimi: Top Channel




Leave a Reply