Juristja Brizida Gjikondi ka dorëzuar sot në SPAK një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Siç bën me dije gazetarja Anila Hoxha, kallëzimi lidhet me dhunën e kryer nga policia ndaj protestuesve gjatë protestave të ditëve të fundit, ku sipas kallëzimit ka pasur tejkalim të kompetencave nga forcat e rendit.

Kallëzimi është depozituar edhe nga 10 aktivistë të Shoqërisë Civile, mes tyre avokatë e gazetarë, të cilët rendisin gjashtë akuza: gjenocid ndaj një pjese të shoqërisë përmes veçimit, diskriminimit, linçimit dhe zhvlerësimit; ushtrim ndikimi për veprime të paligjshme përmes premtimit të parave punonjësve të rendit; shpërdorim detyre; dhënie urdhrash të paligjshëm; mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë; dhe veprime për pengimin e lirisë së shprehjes e organizimit.

“Ky kallëzim konsiston në kryerjen e veprës së gjenocidit, të shpërdorimit të detyrës, të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, u shpreh Gjikondi, duke shtuar se protesta është një e drejtë kushtetuese e cila jo vetëm nuk është garantuar, por ka pasur dhunë fizike, verbale e psikologjike ndaj protestuesve pa dallim moshe.

Tashmë i takon SPAK-ut të vlerësojë nëse pretendimet e paraqitura përmbajnë elemente të veprave penale.

Burimi: Top Channel