Një grup prindërish shqiptarë, të cilët deklarojnë se nuk kanë lidhje partiake, kanë nisur një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe të ministrit të Brendshëm, si dhe krijimin e një qeverie tranzicioni.

Nismëtarët kërkojnë që përgjegjësia politike për skandalet e korrupsionit, që sipas tyre kanë përfshirë ministra, zëvendëskryeministra dhe drejtues të institucioneve të larta shtetërore, të pasohet nga dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës.

Një tjetër kërkesë lidhet me ministrin e Brendshëm, të cilin prindërit e konsiderojnë përgjegjës politik për veprimtarinë e Policisë së Shtetit dhe për rastet e dhunës së pretenduar nga disa efektivë ndaj protestuesve.

Pika e tretë e peticionit parashikon krijimin e një qeverie tranzicioni me mandat të qartë dhe të kufizuar, e cila sipas nismëtarëve duhet të përqendrohet në përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e pavarësisë së SPAK-ut dhe garantimin e një hetimi të pavarur për dhunën ndaj protestuesve.

“Kemi frikë nga telefonata që mbetet pa përgjigje”, thuhet në arsyetimin e peticionit, ku prindërit shprehin shqetësimin për sigurinë e fëmijëve që marrin pjesë në protesta dhe paralajmërojnë për rrezikun e radikalizimit të një brezi të tërë, nëse pakënaqësia e të rinjve nuk merr përgjigje politike.

Burimi: report.al