Në ditën e shtatë të protestës së të rinjve, tensionet janë rikthyer në Tiranë pas disa orësh qetësi. Pas përleshjeve të paradites dhe mesditës, ku protestuesit sulmuan edhe Gjykatën e Apelit, situata u qetësua për disa orë — por në mbrëmje tensionet u rikthyen në zonën pranë sheshit “Skënderbej”.

Protestuesit hodhën fishekzjarrë e kapsolla drejt efektivëve të policisë, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës e ujë me presion. Disa protestues u vunë flakën koshave të mbeturinave.

Për situatën në Tiranë kanë reaguar edhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder. Ata dënuan dhunën, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës, duke kërkuar hetim për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia.

Më herët gjatë ditës, kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për mediat së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, ku dënoi aktet e dhunës ndaj forcave të rendit. Rama njoftoi se nga 1 janari do të ketë rritje të konsiderueshme të pagave të punonjësve të policisë, si dhe mbështetje financiare prej 2.500 eurosh për çdo efektiv të angazhuar në front, duke u shprehur se mbetet i hapur për dialog me të rinjtë, por jo me ata që i bashkohen dhunës.

Ministri Demo deklaroi se situata ka kaluar vijën e kuqe, duke argumentuar se personat e përfshirë në aktet e dhunës nuk përfaqësojnë studentët dhe se protesta nuk mund të konsiderohet më një protestë studentore. Grumbullime protestuesish u shënuan edhe në Lezhë, Vlorë, Elbasan e Shkodër, ku një pjesë e gjimnazistëve e studentëve bojkotuan mësimin.

Burimi: Portalb.mk