Profesori amerikan i politikave të jashtme në Institutin Johns Hopkins, Daniel Serwer, në një intervistë për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, është shprehur kundër dhunës së shfaqur në gjashtë ditët e protestave në Tiranë.

“Dhuna është e papranueshme në shoqëritë demokratike siç është Shqipëria. Protestat janë të pranueshme pasi njerëzit janë të mërzitur për shumë gjëra që nga çështjet studentore dhe ato të ndërtimeve. Dhuna është duke e diskredituar këtë protestë. Unë kam qenë në 1997 në Shqipëri pas rënies së skemave piramidale dhe e kam parë se çfarë destabilizimi mund të sjellin protestat e dhunshme… Çdo lloj ndryshimi duhet të vijë përmes votës në rrugë paqësore jo të dhunshme”, deklaroi Serwer.

I pyetur nëse thirrja e Sali Berishës për mosbindje civile mund të përshkallëzojë më tej situatën, Serwer u përgjigj: “Mosbindje civile do të thotë një rezistencë pasive përballë forcave të sigurisë… Është një ide shumë e keqe për Shqipërinë të mbërrijë në përfundimin se përmes dhunës do të mund të largojnë kryeministrin Edi Rama. Dhuna nuk sjell vota.” Ai shtoi se e njeh Berishën prej shumë vitesh dhe se “është koha për një udhëheqje të re”.

Në pyetjen nëse pas dhunës qëndrojnë “duar të huaja”, siç ka pretenduar kryeministri Edi Rama, profesori u përgjigj se qartësisht SHBA dhe Europa nuk duan të shikojnë dhunë në Shqipëri, vend i cili është drejt rrugës së anëtarësimit në BE.

Burimi: Shqiptarja.com