Kostoja e jetesës në Maqedoninë e Veriut gjatë shtatorit nuk ka ndryshuar krahasuar me gushtin, por në nivel vjetor çmimet janë rritur me 2,7 për qind, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave.
Inflacioni mujor zero nënkupton se shporta mesatare e konsumit në shtator kushtoi po aq sa në gusht. Megjithatë, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, qytetarët paguajnë dukshëm më shumë për pothuajse të gjitha grupet e produkteve dhe shërbimeve.
Rritjen më të madhe vjetore e kanë shënuar pijet alkoolike dhe duhani me 6,5 për qind, të ndjekura nga rekreacioni, sporti dhe kultura me 6,3 për qind, si dhe restorantet dhe akomodimi me 5,8 për qind. Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 1,7 për qind në bazë vjetore.
Në krahasim me muajin gusht, transporti është liruar me 3,4 për qind, ndërsa rekreacioni, sporti dhe kultura me 3,7 për qind. Nga ana tjetër, mobilimi dhe mirëmbajtja e amvisërive janë shtrenjtuar me 1,3 për qind, ndërsa ushqimet me 0,5 për qind.
Pra, edhe pse termometri mujor i çmimeve tregoi zero në shtator, presioni mbi xhepat e qytetarëve mbetet i pranishëm, me çmime që në terma vjetorë vazhdojnë të jenë më të larta se një vit më parë.
Burimi: Press Online




Leave a Reply