Pas një vere të nxehtë dhe të tejzgjatur, Shqipëria po hyn në një fazë të re atmosferike, me tetorin që pritet të sjellë reshje të shpeshta shiu dhe temperatura në rënie graduale. Këtë e ka konfirmuar meteorologia Rezarta Xhakollari në një intervistë televizive.

Sipas Xhakollarit, moti po ndryshon gradualisht, me intervale kthjellimesh dhe reshjesh. Fundjava pritet të jetë me reshje shiu, duke lënë pas verën e nxehtë, ndërsa fundjava e ardhshme parashikohet me diell, por me temperatura sërish në rënie.

“Temperaturat kanë zbritur. Do të kemi një tetor me reshje. Nesër, pra ditën e shtunë do të ketë kthjellime, ndërsa të dielën do të kemi sërish reshje. Pra le të themi kemi një fundjavë me reshje shiu dhe duket se ka lënë pas atë verën e nxehtë të tejzgjatur. Fundjava që vjen do të jetë me diell, por temperaturat do të bien,” u shpreh meteorologia.

Por surpriza më e madhe vjen për muajt e dimrit. Xhakollari parashikon një dimër relativisht të ngrohtë, me reshje shiu të herëpashershme, duke theksuar se nuk pritet një dimër i ftohtë dhe i acartë.

“Na pret një dimër i ngrohtë me reshje shiu të herëpashershme. Nuk do të përjetojmë atë dimrin e ftohtë e të acartë. Do të kemi vetëm reshje shiu,” tha ajo.

Ky parashikim, nëse konfirmohet, do të jetë një lajm i mirë për konsumin e energjisë dhe për bujqësinë, por meteorologët theksojnë se parashikimet afatgjata mbeten gjithmonë me një shkallë pasigurie dhe do të përditësohen me afrimin e sezonit dimëror.

Burimi: Fiks.al