Shefi i ri i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, është takuar të enjten me drejtuesit e Listës Serbe, ku në fokus të diskutimeve ishin sundimi i ligjit, siguria dhe të drejtat e komuniteteve në Kosovë.

Lopes ka thënë se ka zhvilluar një takim prezantues me kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek, dhe ekipin e tij, për të diskutuar çështje që lidhen me sundimin e ligjit. “Gjatë takimit, riafirmova angazhimin e vazhdueshëm të Misionit për të mbështetur sigurinë dhe të drejtat e njeriut për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë ngritur atë që e kanë cilësuar si “dhunë institucionale” ndaj komunitetit serb, si dhe presione të pretenduara dhe veprime të paligjshme ndaj përfaqësuesve dhe autoriteteve komunale serbe. Sipas partisë, këto veprime dëmtojnë më tej sigurinë ligjore, funksionimin e vetëqeverisjes lokale dhe besimin e qytetarëve në institucione.

Lista Serbe po ashtu ka pretenduar se shkeljet e të drejtave të serbëve, mosrespektimi i ligjit dhe keqpërdorimi i mekanizmave institucionalë janë kthyer në fenomene të përsëritura, duke shtuar se reagimi i pamjaftueshëm i institucioneve përgjegjëse po kontribuon në një ndjenjë në rritje pasigurie në komunitetin serb.

Takimi vjen në një periudhë tensioni në veriun e Kosovës, ku situata e sigurisë mbetet delikate pas viteve të konflikteve të përsëritura mes institucioneve të Prishtinës dhe komunitetit serb. EULEX-i ka ritheksuar mandatin e tij për të mbështetur sundimin e ligjit, sigurinë dhe të drejtat e njeriut për të gjitha komunitetet, pavarësisht nga përkatësia etnike.

Burimi: Rks News