Kalaja e Shkupit, një nga simbolet më të njohura historike të kryeqytetit, do t’u hapet vizitorëve vitin e ardhshëm, ndërsa restaurimet kanë nisur tashmë. Lajmi është pritur me entuziazëm nga qytetarët dhe dashamirësit e trashëgimisë kulturore.
Kalaja, e njohur edhe si “Kale”, ngrihet në pikën më të lartë të qytetit të vjetër të Shkupit, me pamje nga lumi Vardar. Kështjella e parë në këtë vend daton nga shekulli i VI, e ndërtuar me urdhër të perandorit bizantin Justinian I, ndërsa më vonë u fortifikua dhe u zgjerua gjatë periudhave të ndryshme historike, përfshirë atë osmane. Në vitin 1346, pikërisht këtu, Stefan Dushani u kurorëzua perandor, duke e bërë Shkupin kryeqytet të perandorisë së tij.
Kalaja u dëmtua rëndë nga tërmeti katastrofik i vitit 1963 dhe, përkundër disa ndërhyrjeve, viteve të fundit është lënë pas dore. Bimësia e lartë e kishte mbuluar pjesën më të madhe të hapësirës, ndërsa dy muzetë e vendosur brenda kalasë kanë nevojë për rinovim të plotë.
Në kuadër të planit të rivitalizimit, autoritetet kanë ndërmarrë aksione për pastrimin e kalasë dhe kanë siguruar mjete për restaurimin e plotë të muzeve. Qëllimi është që kjo hapësirë të kthehet në një nga pikat më të vizituara kulturore të kryeqytetit – veçanërisht me horizontin e vitit 2028, kur Shkupi do të jetë Kryeqytet Evropian i Kulturës.
Restaurimi i Kalasë së Shkupit shihet si një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët kulturore të vendit dhe promovimit të turizmit kulturor, në një kohë kur qyteti po përgatitet për vëmendjen ndërkombëtare që do të sjellë titulli i Kryeqytetit Evropian të Kulturës.
Burimi: Press Online




Leave a Reply