Shkup, 10 tetor – Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me pretendimet se më 7 tetor, në zonën e Shkupit, dy persona janë sulmuar fizikisht nga nëpunës policorë gjatë veprimeve të tyre, me ç’rast, sipas pretendimeve të tyre, u është dëmtuar edhe automobili.

Sipas MPB-së, ministri i Punëve të Brendshme ka urdhëruar Departamentin e Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminalistike dhe Standardeve Profesionale që ta hetojë rastin.

“Departamenti po ndërmerr masa dhe veprime për konstatimin e plotë të gjendjes faktike dhe të rrethanave të ngjarjes, si dhe për konstatimin e përgjegjësisë eventuale të nëpunësve policorë të përfshirë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

MPB bën të ditur se pas zbardhjes së plotë të fakteve do të ndërmerren masat përkatëse në përputhje me rregulloret ligjore, ndërsa opinioni do të informohet me kohë.

Kujtojmë se dy të rinjtë shqiptarë, 21 dhe 23 vjeç, pretendojnë se janë rrahur brutalisht nga policia edhe pasi iu lidhën duart, ndërsa BDI dhe Lidhja Shqiptare kanë kërkuar hetim të plotë dhe përgjegjësi politike në krye të MPB-së.

Burimi: INA Online