Komuna e Tetovës po e mbyll vitin 2025 pa i ekzekutuar pagat për muajt Nëntor dhe Dhjetor për të punësuarit me kontrata, duke i lënë dhjetëra familje pa të ardhura në prag të fundvitit. Kjo kategori e punonjësve po trajtohet në mënyrë të pabarabartë dhe më keq se të gjithë të punësuarit në administratën publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Edhe pas shumë vitesh, Komuna e Tetovës vazhdon të mbetet borxhli ndaj punonjësve që çdo ditë paraqiten në vendin e punës dhe kryejnë shërbimin publik, ndërsa institucioni mbyll vitin duke mos përmbushur obligimet elementare financiare ndaj tyre. Në anën tjetër, drejtues dhe funksionarë komunalë vazhdojnë të përfitojnë nga pozitat e tyre, përmes pjesëmarrjes në komisione të ndryshme dhe privilegjeve të shumta financiare.
Sipas reagimeve të të punësuarve, në sektorë të caktuar, veçanërisht në urbanizëm, ka funksionarë që përveç pagës bazë, përfshihen pothuajse në të gjitha komisionet që lidhen me këtë fushë, duke krijuar dyshime serioze për konflikt interesi, keqpërdorim të pozitës dhe korrupsion institucional.
Ky sistem, sipas kritikëve, është i dështuar dhe i padrejtë. Ata kërkojnë heqjen e praktikës së punësimit me kontrata afatshkurtra, e cila shpesh përdoret si mjet shpërblimi partiak, ku persona që punojnë diku tjetër mbajnë kontrata formale në komunë pa dhënë kontribut real.
Thirrjet janë të qarta: të shembet ky model funksionimi dhe t’u hapet rruga njerëzve meritorë, profesionistëve dhe atyre që punojnë me ndershmëri dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tyre, mund të rikthehet besimi në institucionet lokale dhe të ndërtohet një administratë funksionale dhe e drejtë.

Komento