Zgjedhjet lokale të vitit 2025 në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilat pritet të mbahen më 19 tetor 2025, duket se po zhvillohen në një atmosferë të nxehtë dhe tejet të tensionuar politike. Megjithëse qëllimi i këtyre zgjedhjeve është të përcaktohen përfaqësuesit lokalë që do të kujdesen për zhvillimin e komunave, fushata zgjedhore është shndërruar në një garë të ashpër propagandash, përçarjesh dhe dezinformatash.
Në vend që të flitet për projekte konkrete për qytetarët – si infrastruktura me sistem, arsimi me sistem, mjedisi apo mirëqenia sociale – disa subjekte politike janë përfshirë në retorika nxitëse dhe provokuese. Në vend të ideve për zhvillim, ka dominuar retorika se “kush do të shtrojë asfalt 5cm trashësi, më shumë”, shpesh si premtime të pambështetura me plane reale.
Rasti i fundit: Fushatë me tone nacionaliste nga “Levica”
Situata u tensionua më tej më 17 tetor 2025, vetëm dy ditë para ditës së zgjedhjeve, kur partia e ashtuquajtur “E Majta” (Levica) publikoi në rrjete sociale një fotografi nga konflikti i vitit 2001, mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave të atëhershme të sigurisë maqedonase.Fotografia, e realizuar në lagjen Drenovec, pranë Stadiumit të Qytetit në Tetovë, paraqet një moment tragjik ku, sipas pamjeve arkivore nga mediat vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, policia maqedonase e kohës kishte vrarë dy persona civilë.
Ky publikim nga “Levica”, në prag të zgjedhjeve, është konsideruar nga shumë qytetarë dhe analistë si një veprim provokues dhe me qëllim nxitjeje ndëretnike. Në vend që të përqendrohet te problemet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet vendi, partia ka zgjedhur të rikthejë kujtimet e dhimbshme të një konflikti që duhej të mos mbetej pjesë e fushatës politike.
Dyshime për manipulime dhe mungesë të standardeve demokratike
Ky akt ka ngritur dyshime serioze për rregullsinë dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve lokale. Shumë qytetarë shprehen të shqetësuar se përmes fushatave të tilla, zgjedhjet po humbasin qëllimin e tyre thelbësor – përfaqësimin e vullnetit qytetar në mënyrë të lirë dhe të ndershme.
Për më tepër, përdorimi i materialeve historike dhe përmbajtjeve emocionale për të manipuluar opinionin publik shihet si një tentativë për të fshehur mungesën e programeve konkrete dhe paaftësinë për të ofruar zgjidhje reale për qytetarët.

Komento