Në sheshin kryesor të Shkupit, sot, duke filluar nga ora 18:00, pritet të mbahet një protestë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, në lidhje me tragjedinë që ndodhi në Koçani, njofton Mediatiku.com.
“Në këto ditë të dhimbshme, Maqedonia duhet të qëndrojë e bashkuar,” thuhet në thirrjen për protestë, që do të mbahet në sheshin “Maqedonia”, ku ftohen qytetarët nga e gjithë vendi të marrin pjesë. Organizatorët e protestës, të titulluar “Kush është i radhës”, kërkojnë që të mos bllokohen rrugët, për të mundësuar kalimin e mjeteve mjekësore pa pengesa. Ata kërkojnë që qytetarët të lëvizin përgjatë bregut të lumit Vardar për të arritur në vendin e protestës dhe njoftojnë se do të ketë edhe protesta të tjera në të ardhmen.
Tragjedia e ndodhur më 16 mars ka marrë jetën e 59 personave, ndërsa mbi 140 të tjerë janë plagosur dhe kanë marrë trajtim në spital, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Deri më tani, 11 persona janë vendosur në paraburgim për 48 orë, dhe mbi 20 të tjerë janë nën hetim për dyshime për vepra të rënda penale kundër sigurisë publike dhe nxitje të rrezikut të përgjithshëm, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Në mesin e të arrestuarve është ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish-drejtori për Menaxhimin me Kriza, Bekim Maksuti, dhe ish-sekretarja shtetërore, Razmena Çekiç Duroviç. Sipas hetimeve të deritanishme, diskoteka ku ndodhi tragjedia nuk kishte një rrjet hidrantesh dhe pajisje të mjaftueshme për sigurinë e zjarrfikësve, përdorte material piroteknik në mënyrë të paligjshme, nuk kishte leje pune të rregullt dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim midis organizatorëve dhe grupeve muzikore. Ministri Toshkovski sqaroi gjithashtu se disa nga të dyshuarit që janë lidhur me ngjarjen kanë ndërruar jetë, ndërsa disa të tjerë janë në spital.
Komento