Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka njoftuar se janë konstatuar parregullsi jo vetëm në universitete, por edhe në institute, dhe se dy institute janë mbyllur. Ajo theksoi se procesi i mbylljes së dy instituteve ka përfunduar plotësisht dhe se janë duke u zhvilluar procedura për mbylljen e mundshme të tre instituteve të tjera. Për momentin, ministrja nuk ka zbuluar emrat e instituteve që janë mbyllur, por ka theksuar se pas përfundimit të procedurave, rezultatet do të publikohen në mënyrë transparente.
Sipas ministres, Inspektorati Shtetëror Arsimor është duke inspektuar vazhdimisht raportet dhe deri tani janë konstatuar parregullsi në disa universitete, përfshirë Universitetin e Tetovës, Universitetin “Shën Apostull Pal” në Ohër dhe universitetin në Strugë. Ajo ka përmendur zgjedhje të kundërligjshme të dy ligjëruesve në Universitetin e Tetovës dhe ka theksuar se inspektimi atje është ende në proces. Po ashtu, është mbyllur një departament në Universitetin e Strugës për shkak të problemeve të konstatuara.
Ministrja theksoi gjithashtu se në disa universitete, procesi i inspektimit ka përfunduar dhe ka filluar procedura për pagesën e gjobave për shkelësit, si dekanët dhe rektorët. Ajo nënvizoi se inspektimi është një proces i rëndësishëm që do të përcaktojë masat që duhet të merren dhe nëse do të ketë mbyllje të mundshme universitetesh, kjo do të varet nga rezultati i inspektimeve.
Komento