Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm, transmeton Zëri i Amerikës.
Me një fitore të rëndësishme në Uiskonsin, Trump siguroi 277 vota elektorale, duke kaluar pragun prej 270 votash që kërkohen për të siguruar presidencën.
Mëngjesin e së mërkurës, ndërsa ende po numëroheshin votat, Trump shpalli fitoren në një tubim në Florida. “Kjo ishte një lëvizje që askush nuk e ka parë ndonjëherë më parë dhe sinqerisht, kjo ishte, besoj, lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave,” u tha Trump mbështetësve të tij. Ai theksoi angazhimin e tij për të “rregulluar kufijtë” dhe për të “rregulluar gjithçka në vendin tonë”. Trump gjithashtu premtoi të punojë për një “Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë”.
Ai garoi me rivalen demokrate, Kamala Harris, aktualisht Nënpresidente, e cila deri tani ka siguruar 224 vota elektorale.
Trump është ish-Presidenti i parë që, pas një humbjeje në një mandat të dytë, rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, një ngjarje që kujton rikthimin e Grover Cleveland, i cili gjithashtu humbi një mandat dhe u kthye si president pas disa viteve. Trump kishte shërbyer si President i Shteteve të Bashkuara nga 2017 deri në 2021, por humbi në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Joe Biden, ndonëse Trump dhe aleatët e tij vazhduan të pohonin se ai kishte fituar, duke përhapur pretendime të pasakta që çuan në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga mbështetësit e tij.
Pasi humbi zgjedhjet e vitit 2020, Trump dhe aleatët e tij ngritën disa padi, shumicën e të cilave gjykatësit i hodhën poshtë, duke i shpallur të pabaza.
Në periudhën pas largimit të tij nga posti, Trump është përballur me akuza të ndryshme. Ai u dënua për 34 akuza që lidhen me pagesat që i bëri një aktoreje të filmave për të mos zbuluar marrëdhënie me të gjatë fushatës së vitit 2016. Shpallja e dënimit është caktuar për 26 nëntor 2024. Trump është paditur gjithashtu në tri raste të tjera, duke përfshirë akuzat për përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe një tjetër për marrjen e dokumenteve sekrete në shtëpinë e tij në Florida.
Trump pritet të inaugurohet për një mandat të ri më 20 janar 2025.
Komento