Kasami: Drejtori i ri i Kodrës së Diellit do të emërohet deri në fund të javës
Pas ankesave nga drejtuesit e hoteleve në Kodrën e Diellit për mungesën e parapërgatitjeve për sezonin e ri, kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami, deklaroi se deri në fund të javës do të emërohet një drejtor i ri për Qendrën Turistike të Kodrës së Diellit. Ai theksoi se do të fillojnë përgatitjet intensive për sezonin dimëror, duke përfshirë planifikimin e aktiviteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës.
Kasami njoftoi se në bashkëpunim me ndërmarrjen “Rrugët” dhe komunën, do të bëhen riparime të domosdoshme në gropat dhe sistemin e kanalizimit, me qëllim që sezoni turistik të jetë i suksesshëm dhe të ofrojë kushte më të mira për vizitorët. Ai u shpreh optimist për sezonin e ardhshëm dhe për mundësitë që ofron Kodra e Diellit.
Gjithashtu, Kasami përmendi planin për hapjen e një rruge alternative përmes qarkores në fshatin Lisec, që do të lehtësojë lëvizjen drejt Kodrës së Diellit dhe do të ofrojë qasje më të shpejtë për turistët.
Në një zhvillim të rëndësishëm, autoritetet kanë njoftuar se do të bëhen hetime lidhur me dëmtimet që dyshohet se janë bërë qëllimisht në teleferikun me gjashtë ulëse. Këto dëmtime kanë penguar nisjen në kohë të sezonit dimëror, dhe kasami theksoi se është e nevojshme të identifikohen përgjegjësit për të siguruar një sezon të qetë dhe të suksesshëm.
Komento