Tre persona janë arrestuar në Prishtinë dhe Fushë Kosovë nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash, ndërsa gjatë aksionit policor është sekuestruar pasuri me vlerë mbi një milion euro.

Operacioni u zhvillua të mërkurën, më 25 nëntor, në katër lokacione, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, 4 mijë e 95 euro para të gatshme dhe 11,28 gramë substancë e dyshuar narkotike, si dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.

Burimi: Arbresh.info