Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kërcënuar se do të bllokojë buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian (2028–2034) nëse të gjitha shtetet anëtare nuk angazhohen për të financuar Ukrainën në vitin 2027 dhe më tej, raporton Financial Times.
Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, të cilën gazeta e ka parë, Merz e ka kushtëzuar mbështetjen e Gjermanisë për buxhetin e ardhshëm me një angazhim kolektiv për të mbyllur hendekun prej 70 miliardë eurosh në financimin e Ukrainës vitin e ardhshëm.
“Një angazhim kolektiv, ku të gjithë ne, pa përjashtim, të kontribuojmë në mënyrë të drejtë për të mbyllur hendekun e financimit [të Ukrainës], është parakusht thelbësor për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për të diskutuar çdo çështje tjetër, veçanërisht ato me pasoja financiare”, shkruan Merz në letër, sipas Financial Times.
Merz kërkon gjithashtu një zgjidhje afatgjatë për financimin e Ukrainës nga viti 2028 e tutje, përfshirë pagesat e interesit për borxhin e papaguar.
Dhjetorin e kaluar, BE-ja ra dakord për një kredi prej 90 miliardë eurosh për Kievin, që mbulon vitet 2026 dhe 2027. Por Kievi thotë se do t’i duhen edhe 70 miliardë euro të tjera vitin e ardhshëm, për shkak të shkallës së agresionit rus. BE-ja është zotuar të mbulojë rreth dy të tretat e kësaj shume, rreth 45 miliardë euro.
Sipas raportimeve në media, katër vende anëtare — Hungaria, Sllovakia, Bullgaria dhe Çekia — kanë bërë të ditur se nuk do të kontribuojnë fonde shtesë.
Kërcënimi vjen pak ditë para samitit joformal të liderëve të BE-së në Dublin, të enjten dhe të premten, ku Merz kërkon që mungesa e financimit për Ukrainën të trajtohet. Në samitin e 15–16 tetorit, Këshilli Evropian i kërkoi Komisionit Evropian të përgatisë propozime për mbulimin e hendekut prej 70 miliardë eurosh.
Gjermania, si kontribuesi më i madh neto në buxhetin e BE-së, po përdor peshën e saj në negociatat për buxhetin e ardhshëm për të siguruar financim të garantuar për Ukrainën, jo vetëm për vitin 2027, por edhe për vitet në vijim.




Leave a Reply