Lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, ka paralajmëruar se partia e tij është gati të dalë nga koalicioni qeveritar nëse provimi i jurisprudencës lejohet të jepet edhe në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.
Deklarata u bë në një intervistë për televizionin Sitel, ku Dimitrievski tha se ZNAM-i nuk do ta pranojë një vendim të tillë të Qeverisë. Ai njoftoi se do t’i kërkojë kryeministrit Hristijan Mickoski një takim të liderëve të partnerëve të koalicionit, pasi sipas tij, për këtë çështje nuk është diskutuar kurrë hapur mes tyre.
Sipas Dimitrievskit, kërkesa për dhënien e provimit edhe në shqip bie ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias nga viti 2019 dhe do të kishte pasoja të mëdha në funksionimin e sistemit gjyqësor.
Ai theksoi se nuk është kundër përdorimit të gjuhëve të komuniteteve etnike, duke përmendur Kumanovën si shembull, por këmbëngul që provimi i jurisprudencës të mbetet vetëm në maqedonisht.
Burimi: Libertas



