Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka ngritur një sërë dyshimesh lidhur me kontratat e Komunës së Prishtinës, duke kërkuar sqarime për destinimin e shtyllave të vjetra të ndriçimit, mundësinë e nënshkrimit të një aneks-kontrate prej rreth 3 milionë eurosh, si dhe shpenzimet e parapara për projektin e sheshit “Gjergj Bush”.

Në një paraqitje në televizionin ATV, Kërçeli tha se ka informacione për një aneks-kontratë që, sipas tij, mund të jetë nënshkruar pas përfundimit të kontratës fillestare prej 10 milionë eurosh për ndriçimin inteligjent. Sipas pretendimeve të tij, kontrata shtesë do të arrinte vlerën prej 30 për qind të kontratës fillestare, apo rreth 3 milionë euro. Ai veçoi edhe shumën prej rreth 18 mijë eurosh, e cila sipas tij është paraparë në kontratë për zhvendosjen e bustit të ish-presidentit Ibrahim Rugova — për ta dërguar në depo dhe për ta kthyer sërish pranë Katedrales.

Kërçeli i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të sqarojë nëse është nënshkruar një kontratë e tillë shtesë. Ai theksoi se qëllimi i ngritjes së këtyre çështjeve nuk është kërkesa për arrestimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, por që institucionet kompetente të trajtojnë dyshimet dhe të veprojnë vetëm në bazë të ligjit.

Burimi: PortaliFiks