Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi sot në një konferencë për mediet të dhëna që, sipas tij, tregojnë ndikimin negativ të zhvlerësimit të euros në ekonominë shqiptare, duke iu referuar një ankete të revistës “Monitor”.

Sipas rezultateve të anketës, 89% e bizneseve të pyetura e vlerësojnë si negativ ndikimin e zhvlerësimit të euros në aktivitetin e tyre, ndërsa 67% e individëve të anketuar shprehen se ky zhvlerësim ka ndikim negativ në ekonominë dhe jetën e tyre. 29% e të anketuarve e vlerësojnë ndikimin si “shumë të keq”, ndërsa 45% si “të keq”.

Berisha tha se 13% e të anketuarve kanë raportuar rritje të kostove, 38% ulje të të ardhurave, ndërsa 49% përkeqësim në të dyja drejtimet. Ai theksoi se zhvlerësimi i euros nuk mund të shpjegohet vetëm me rritjen e numrit të turistëve dhe akuzoi Bankën e Shqipërisë se ndërhyrjet në tregun valutor dhe shtimi i parasë në qarkullim kanë ndikuar në rritjen e çmimeve, duke pretenduar se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur gjashtë herë më shumë se në Bashkimin Evropian.

Burimi: ATSH