Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se Shqipëria do të përafrojë legjislacionin kundër korrupsionit me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa propozoi tri përparësi për forcimin e bashkëpunimit rajonal në këtë drejtim.
Gogu mori pjesë në sesionin “Dimensioni gjyqësor i luftës kundër korrupsionit”, në kuadër të Forumit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që zhvillohet më 5–6 nëntor në Budva të Malit të Zi, nën drejtimin e Presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së.
Ministri kujtoi se në raportin e publikuar këtë javë, Komisioni Evropian konstatoi përparim të mirë të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe vlerësoi se SPAK vijon të tregojë pavarësi dhe të japë rezultate në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, sipas tij, mbetet ende punë për t’u bërë, veçanërisht në forcimin e masave parandaluese dhe nisjen më të hershme të hetimeve financiare, ndërsa sekuestrimi i pasurive kriminale duhet të pasohet nga konfiskimi i tyre, kur këtë e lejojnë ligji dhe provat.
Burimi: ATSH



