Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka zhvilluar një takim bilateral me Komisionerin Evropian për Drejtësinë, Michael McGrath, në kuadër të Forumit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që po mbahet në Budva.
Shasivari riafirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për avancimin e reformave në drejtësi dhe përafrimin e sistemit juridik me standardet evropiane, duke theksuar se procesi i integrimit evropian duhet të shoqërohet me rezultate konkrete dhe përfitime të prekshme për qytetarët. Në takim u diskutua për forcimin e sundimit të ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e kapaciteteve institucionale.
Ministri e informoi eurokomisionerin McGrath për progresin në përgatitjen e Kodit Penal dhe Ligjit për Procedurën Penale, për reformën në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, si dhe për hapat për forcimin e pavarësisë financiare të gjyqësorit dhe prokurorisë. Një tjetër temë ishte transformimi digjital i sistemit të drejtësisë, përmes Strategjisë së re të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit për periudhën 2027–2031.
Burimi: Zhurnal.mk



