Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mori pjesë në Forumin Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, të mbajtur më 5 dhe 6 nëntor në Budva të Malit të Zi, ku mbajti dy fjalime për menaxhimin e migracionit dhe sigurinë kufitare, si dhe për luftën kundër formave moderne të kriminalitetit në epokën digjitale.

“Maqedonia e Veriut nuk pret të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian për të vepruar me përgjegjësi ndaj sigurisë evropiane. Ne tashmë e marrim këtë përgjegjësi përmes policisë sonë kufitare, përmes operacioneve të përbashkëta me Frontex, përmes luftës kundër rrjeteve të kontrabandës dhe përmes harmonizimit konkret me politikat evropiane”, theksoi Toshkovski.

Ministri bëri të ditur se në dhjetë muajt e parë të vitit 2026 është regjistruar një rritje prej 29 për qind e tentativave për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror krahasuar me vitin paraprak. Në të njëjtën periudhë janë zbuluar 23 raste të kontrabandimit të 144 migrantëve, ndërsa masa të ndjekjes penale janë ndërmarrë ndaj 38 personave.

Burimi: Zhurnal.mk