Gjykata e Posaçme shtyu seancën për kërkesën e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili kërkon shpalljen e parashkrimit të dënimit me dy vite burg për fshehje pasurie, dhënë ndaj tij në vitin 2021 me vendim të formës së prerë.

Gjatë seancës, pasi dëgjoi parashtrimet e avokatit të Llallës, Sokol Hazizi, prokurorja e Posaçme e SPAK-ut, Enkelejda Millonai, kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e referuara nga mbrojtja. Për këtë arsye gjykata vendosi ta shtyjë shqyrtimin e kërkesës. Seanca e radhës është caktuar më 16 nëntor, në orën 08:30.

Llalla pretendon se kanë kaluar afro pesë vite nga dhënia e vendimit, pa e vuajtur dënimin. Ai nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati, ndërsa vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare.

Burimi: Euronews Albania