Një ditë pas shpërthimit tragjik në një pallat pesëkatësh në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën 10 të tjerë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Pas më shumë se 17 orësh kërkimesh, rreth orës 00:40 u gjet i pajetë nën rrënoja 69-vjeçari Hamit Ibra, pronar i banesës ku dyshohet se nisi shpërthimi. Viktima e parë ishte Hatixhe Berisha, ndërsa 10 banorë të pallatit morën ndihmë mjekësore. Mëngjesin e sotëm në vendngjarje mbërritën ekspertë të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë, bashkë me inxhinierë të RENEA-s, për këqyrjen e zonës dhe mbledhjen e provave.

Paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe zjarri u shkaktuan nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit, me gjasë nga një rrjedhje e mundshme e bombolës së gatimit, por ende nuk ka një përfundim zyrtar. Ekspertë të Institutit të Ndërtimit pritet të vlerësojnë dëmet në strukturën e godinës dhe nëse pallati mund të ribanohet, ndërsa Bashkia e Elbasanit njoftoi masa për strehimin e përkohshëm të familjeve që mbetën pa banesa.

Burimi: OraNews