Këshilli penal pranë Gjykatës Themelore Penale të Shkupit ka hequr masën e paraburgimit për ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, të akuzuarin e parë në lëndën e njohur si “Lotaria”, dhe ka pranuar një garanci në pasuri të paluajtshme me vlerë 1.140.781 euro. Vendimi u bë i formës së prerë pasi prokurori publik dhe palët e tjera hoqën dorë nga e drejta e ankimit.
Gjykata ka caktuar edhe masa shtesë kujdesi për të siguruar praninë e tij në proces: konfiskimin e pasaportës, ndalimin e lëshimit të një dokumenti të ri udhëtimi dhe detyrimin për paraqitje të rregullt në gjykatë. Bajrami do të lirohet nga burgu i Shkupit sapo të përfundojë procedura administrative e regjistrimit të hipotekës mbi pasurinë e ofruar në Kadastër. Prokuroria e kishte ngritur në gusht propozim-akuzë ndaj tij për keqpërdorim detyre, vepër për të cilën parashikohet burg deri në pesë vjet.
Burimi: MakPress



