Policia ka kryer bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në kuadër të një hetimi për dyshime për manipulim notash dhe pikësh provimi në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, bastisjet u kryen me urdhër gjykate, të siguruar nga Prokuroria Themelore Publike e Shtipit, nga policia kriminale, policia e Shtipit dhe e Shkupit si dhe sektori për krim kompjuterik.
Hetimi lidhet me dyshime për keqpërdorim detyre dhe për dëmtim e hyrje të paautorizuar në sistem kompjuterik, që i atribuohen një punonjësi të sektorit të informatikës në universitet. Vetë universiteti ka konfirmuar për agjencinë MIA se hetimi është në zhvillim. Sipas informacioneve të para, rasti është denoncuar nga studentë turq, ngjashëm me një rast disa muaj më parë, kur një profesoreshë u kap me para të shënuara për t’i dhënë notë kaluese një studenti turk.
Burimi: MakPress



