Protesta e mbrëmjes së kësaj të hëne përpara Kryeministrisë është shoqëruar me një aksion simbolik: protestuesit u vënë flakën dy figurave gjigante që paraqisnin kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Dy manekinat u vendosën në shkallët e Kryeministrisë krah njëra-tjetrës, me pankarta në duar ku shkruhej ironizueshëm: “Sa të kem jetë, dua pushtet!”. Pak më pas protestuesit u vënë flakën, duke e shndërruar këtë moment në një nga zhvillimet e tubimit të mbrëmjes, në ditën e 21-të të revoltës.

Aksioni u shoqërua me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” — mesazh që i drejtohet jo vetëm qeverisë, por edhe opozitës. Sipas njërit prej aktivistëve, Rama e Berisha “e kanë mbajtur peng Shqipërinë për 36 vite” dhe duhet të largohen nga jeta publike. Rreth orës 20:00 protesta u mbyll dhe protestuesit u shpërndanë.