Studentët i kanë dhënë fund bojkotit mësimor këtë të hënë, duke u rikthyer në auditorë pas thirrjeve të pedagogëve gjatë fundjavës për rinisjen e mësimit. Në fakultetin e Ekonomisë dhe në atë të Shkencave të Natyrës pranë Universitetit të Tiranës, e po ashtu në Universitetin e Mjekësisë, auditorët janë mbushur sërish me studentë dhe procesi mësimor po zhvillohet normalisht.

Sipas raportimeve, kthimi në auditorë erdhi nga frika e akumulimit të mungesave: dekanatet nuk u kthyen përgjigje kërkesave zyrtare të senateve studentore për të mos vendosur mungesa për studentët që po protestonin. Aktivistja Arvina Lleshi ka publikuar disa nga mesazhet që i janë dërguar, ku të rinjtë shprehen se janë detyruar të heqin dorë nga bojkoti.

Mësimi ka rinisur edhe në rrethe: në dy universitetet ku kishte bojkot të pjesshëm, në Elbasan dhe Korçë, auditorët u hapën — në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë vendimi për rikthim në mësim u mor të premten nga Këshilli Studentor.

Megjithatë, disa protestues kanë paralajmëruar vijimin e protestës, duke u bërë thirrje të tjerëve të lënë auditorët dhe t’u bashkohen në tubimin e njoftuar për në orën 12:00 te Universiteti Politeknik i Tiranës, në ditën e 21-të të revoltës.