Deputeti demokrat Belind Këlliçi dhe deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, janë përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në momentin kur marshimi i protestuesve po afrohej te Kryeministria. Përplasja nisi kur policia nuk i lejoi të kalonin, duke u referuar perimetrit të sigurisë.

Në një moment Blushi është përpjekur të shtyjë policët, të cilët nuk e kanë lejuar të vazhdojë përpara. “Është deputet, mos e prek me dorë! Nuk ke të drejtë ta prekësh me dorë!” dëgjohej t’i thoshte një qytetar policisë, ndërsa Këlliçi u drejtohej efektivëve me thirrjen “Hiqe dorën!”. Policët iu përgjigjën: “Ikni mbrapa! Është perimetri i sigurisë.” Këlliçi kërkoi të shihte urdhrin e policisë dhe tha se po pengohej lëvizja e qytetarëve në rrugë publike.