Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, ka vlerësuar pozitivisht përpjekjet e vendit për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mbrojtjen e mjedisit. Ai tha se në Shkup tashmë vërehet ndryshim, ndërsa në vendet e BE-së cilësia e ajrit ka ndryshuar rrënjësisht vitet e fundit falë legjislacionit, riciklimit, monitorimit dhe gjobave për ndotësit.

Rokas i bëri komentet pas prezantimit të rezultateve të projektit “Mbështetje për zbatimin e direktivave për cilësinë e ajrit”. Sipas tij, Maqedonia e Veriut, si vend në tranzicion, po bën shumë përpjekje dhe kjo meriton vlerësim.

Ambasadori theksoi se përmirësimi i ajrit kërkon veprime të koordinuara, jo një masë të vetme: projekti hedh themelet për ndryshime të ndjeshme në dhjetë vitet e ardhshme, por nevojitet bashkëpunim i fortë mes Ministrisë së Mjedisit dhe atyre të Transportit e Bujqësisë. Ai shtoi se BE-ja do ta mbështesë tranzicionin edhe përmes fondeve IPA për qendra rajonale dhe impiante riciklimi, si dhe përmes monitorimit të procesit.

Burimi: Zhurnal.mk