Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamo City-t u mbyll në barazim 1-1, në sfidën e javës së nëntë të Superiores, të zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Pjesa e parë u mbyll pa gola, por u karakterizua nga tensione të shumta, me kartonë të kuq për futbollistin e Dinamos, Oresti Rifa, për trajnerin Ilir Daja dhe për një anëtar tjetër të stafit dinamovit.
Pas pushimit, Tirana shfrytëzoi epërsinë numerike dhe kaloi në avantazh në minutën e 64-t, kur Redon Xhixha dërgoi topin në rrjetë. Reagimi i Dinamos nuk vonoi: në minutën e 78-t, Erion Hoxhallari përfitoi nga një devijim në zonë dhe barazoi shifrat, edhe pse skuadra e tij luante me një lojtar më pak.
Në minutat e fundit, Tirana gjeti sërish rrugën e rrjetës me anë të Dacit, por gjyqtari e anuloi golin për një faull në sulm, ndërsa mbrojtësi Basilio Ndong u ndëshkua me karton të kuq në kohën shtesë. Barazimi i penalizon të dyja skuadrat në garën për objektivat e tyre: Dinamo City mbetet në vendin e tretë, ndërsa Tirana në të katërtin.
Burimi: CNA.al



