Ambasada e Rusisë në Shkup i ka hedhur poshtë akuzat e Agjencisë për Siguri Kombëtare se në Maqedoninë e Veriut vepron një rrjet propagandistik në shërbim të interesave ruse. Në reagimin e saj, ambasada thotë se i është drejtuar Ministrisë së Jashtme me kërkesë për një takim me drejtuesit e diplomacisë dhe të agjencisë, për të marrë sqarime, por pretendon se nuk ka marrë përgjigje as ndaj notës diplomatike.
Akuzat u bënë publike në fillim të tetorit, kur agjencia njoftoi se, në bashkëpunim me policinë dhe prokurorinë, më 18 shtator kishte kryer hetime dhe një bastisje në shtëpinë e një shtetasi maqedonas. Ai dyshohet për vepra që lidhen me nxitjen e urrejtjes dhe përhapjen e materialeve raciste e ksenofobike.
Sipas agjencisë, rrjeti në fjalë përhap dezinformata dhe synon të ndikojë në debatin publik e të nxisë intolerancë etnike dhe kombëtare. Ambasada i mohon këto pretendime, duke e paraqitur reagimin e saj si kërkesë për sqarime zyrtare përmes kanaleve diplomatike.
Burimi: Alsat



