Kaosi në Kuvend u përshkallëzua të enjten, pasi deputetët e Partisë Demokratike ndezën flakadanë dhe tymuese në sallën e seancës plenare, duke kërkuar debat për dhunën e policisë në protestat studentore.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi nga seanca katër deputetë demokratë: Blendi Himçi, Ivi Kaso, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati. Më pas, me propozimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, seanca kaloi direkt në votim të projektligjeve pa diskutim — me 84 vota pro dhe 1 kundër.

Mes tymit e flakadanëve, mazhoranca miratoi në parim me 84 vota projektligjin e ri për Bankën e Shqipërisë — 83 me votim elektronik dhe 1 me karton — duke siguruar shumicën e cilësuar të nevojshme. Sipas raportimeve, ligji i jep imunitet guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nga arrestimi për vepra që lidhen me detyrën. Në votim ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili më pas u largua nga salla e mbuluar me tym; për sigurimin e 84 votave, mazhoranca priti edhe mbërritjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.