Shumica parlamentare dorëzoi më 27 tetor në Kuvend propozim-ligjin për transformimin e angazhimeve me kontratë në marrëdhënie të rregullt pune me kohë të pacaktuar. Propozimi u prezantua nga deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, dhe synon t’i japë fund pasigurisë shumëvjeçare të personave që prej vitesh punojnë në sektorin publik pa sigurinë e punësimit të rregullt.
Sipas propozimit, të drejtën për transformim do ta kenë rreth 5.000 persona të angazhuar me kontrata me afat të caktuar, kontrata në vepër, kontrata autoriale, përmes agjencive për punësim të përkohshëm dhe forma të tjera kontraktuale. Kusht është që të kenë kontratë të vlefshme në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit, dhe kontrata të mbetet në fuqi edhe në momentin e transformimit — pra nuk përfshihen automatikisht të gjithë ata që kanë punuar ndonjëherë me kontratë.
Në Komunën e Tetovës, të punësuarit me kohë të përkohshme nuk kanë marrë rrogat që nga muaji gusht e deri më sot. Për ta, premtimi i transformimit në punësim të përhershëm nuk është çështje letre: pa vendim pune me kohë të pacaktuar, ata mbeten të parët që mbesin pa paga kur institucioni ka probleme financiare, dhe të fundit që mbrohen. Nëse propozimi miratohet dhe zbatohet, pikërisht kategori të tilla punonjësish do të duhej të kalonin në punësim të rregullt, me paga dhe të drejta të garantuara.
Përfshihen organet e pushtetit shtetëror, institucione publike në shëndetësi, kulturë, mbrojtjen e fëmijëve dhe atë sociale, komunat, ndërmarrjet publike, institutet dhe fondet. Përjashtohen, ndër të tjera, shoqëritë aksionare, shkollat fillore dhe të mesme, institucionet e arsimit të lartë dhe ato shkencore, Ministria e Punëve të Brendshme dhe shërbimet e sigurisë.
Institucionet do të kenë 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit për të lidhur kontratat ose për të nxjerrë vendimet për punësim. Transformimi do të bëhet në faza: deri në 50 për qind e personave të përfshirë do të kalojnë në punësim të rregullt menjëherë, ndërsa për pjesën tjetër afati përfundimtar është 31 dhjetori 2027. Gjatë procedurës, institucionet nuk do të mund t’i ndërpresin kontratat e personave të përfshirë, përveç në raste të shkeljes së rëndë të detyrave të punës. Propozimi kufizon edhe angazhimet e ardhshme me kontratë në 10 për qind të numrit të të punësuarve.
Nismën e mbështetën edhe ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti dhe ministri Agon Ferati. Durmishi deklaroi se “punëtori nuk do të jetë më peng i politikës”, ndërsa Stojanoski tha se pas kontratave “qëndrojnë fate njerëzore, familje dhe njerëz që prej vitesh jetojnë në pasiguri”.




Leave a Reply