Ekspozita “Gjon Mili. Retrospektivë” vijon të jetë e hapur për publikun në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Ajo sjell në vëmendje krijimtarinë e fotografit shqiptaro-amerikan që revolucionarizoi fotografinë e lëvizjes dhe dha një kontribut të madh në ndërthurjen e artit me shkencën.

Përmes eksperimenteve me dritën, lëvizjen dhe fotografinë, Gjon Mili sfidoi mënyrën tradicionale të perceptimit të imazhit, duke arritur të fiksojë në fotografi çaste që zgjasin vetëm fraksione sekonde. Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zënë fotografitë sportive, ku lëvizjet e atletëve dhe energjia e trupit shndërrohen në kompozime artistike.

Retrospektiva u jep vizitorëve mundësinë të njohin më nga afër universin krijues të Milit dhe mënyrën se si ai e shndërroi fotografinë në një hapësirë eksperimentimi mes teknologjisë dhe artit. Ekspozita është e hapur çdo ditë, nga ora 09:00 deri në 19:00.

Burimi: Ora News