Kinemaja shqiptare bashkëkohore po i afrohet publikut në qytete të ndryshme të vendit përmes nismës së re “Filmi shqiptar në turne”, e cila e nisi rrugëtimin në Shkodër me shfaqjen e filmit “Luna Park” të regjisorit Florenc Papas. Mbrëmja në kinemanë “Republika” u shoqërua edhe me bashkëbisedim me publikun, në praninë e producentit Dritan Huqi.

Filmi rrëfen, përmes historisë së Mirës dhe Tonit, pasojat e krizës së vitit 1997, emigracionin dhe përpjekjet e një familjeje për ta rindërtuar jetën larg pasigurisë. Ai është një bashkëprodhim i Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Kroacisë dhe Kosovës dhe e pati premierën kombëtare në “Tirana International Film Festival”.

“Luna Park” u përzgjodh si kandidatura e Shqipërisë për çmimet Oscar 2026 në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar. Sipas Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, turneu do të vazhdojë në shumë qytete të tjera, me tituj të tjerë të zgjedhur të kinemasë shqiptare të viteve të fundit.

Burimi: Gazeta Sot