Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar zhvillimin e një proteste kombëtare ditën e shtunë, më 31 tetor, në mbështetje të protestave të gjimnazistëve dhe studentëve në Tiranë.

Njoftimi u bë të martën, më 27 tetor, gjatë një konference për mediat. “Plotësisht dhe fuqishëm. Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë”, tha Berisha.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të kryeqytetit që t’i bashkohen tubimit, ndërsa deklaroi se pritet të marrin pjesë edhe mijëra shqiptarë nga diaspora. Sipas tij, që sot nga mbarë Evropa, mijëra shqiptarë nga diaspora pritet t’iu bashkohen protestës së gjimnazistëve dhe studentëve të Tiranës.

Të shtunën e kaluar, më 24 tetor, PD thirri po ashtu një protestë kombëtare, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes forcave të policisë dhe protestuesve.