Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar 23 persona, ka proceduar penalisht 13 të tjerë dhe ka shpallur në kërkim 30 shtetas, pas protestës së djeshme në Tiranë, ku u regjistruan përplasje me uniformat blu dhe dëmtime të godinave të institucioneve shtetërore.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë tubimit në zona të ndryshme të kryeqytetit, punonjësit e Policisë u sulmuan për orë të tëra me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla. Si pasojë e sulmeve nga persona të maskuar, disa punonjës policie mbetën të plagosur dhe morën ndihmë mjekësore.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, u arrestuan shtetasit: Jul Budi, Lorenc Bezati, Dritan Zhilla, Xhuljano Minga, Mariglen Selimi, Klesti Fetiu, Valentini Lamce, Erti Zhilla, Xhulio Meçani, Arbër Elezi, Rexhep Kuçaj, Elsard Nxheç, Mario Shitka, Redon Hoxha, Brahim Omenaj, Eugen Neziri, Leon Neziri, Omer Ademi, Jurgen Ziaj, Rezart Vozga, Vesjon Arifi, Enrik Xhemalaj dhe Ramazan Dauti.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar bilancin paraprak të personave të lënduar gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Në strukturat spitalore dhe poliklinikat janë paraqitur gjithsej 23 persona të lënduar, mes tyre protestues, efektivë policie, përfaqësues të medias dhe një deputet.

Numri më i madh i të lënduarve është regjistruar në Spitalin Universitar të Traumës, ku janë paraqitur 16 persona: 12 protestues, dy përfaqësues të medias dhe dy efektivë policie. Mes protestuesve të lënduar, një person ka pësuar dëmtim në sy. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, atij i është kryer ndërhyrja kirurgjikale e urgjencës gjatë ditës së djeshme. Për ditën e sotme është parashikuar një konsultë e zgjeruar me një ekip të përbashkët profesionistësh nga Spitali Universitar i Traumës dhe QSUT, me qëllim përcaktimin e vijueshmërisë së trajtimit.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur pesë persona: një deputet i Kuvendit, një protestues, dy efektivë policie dhe një përfaqësues i medias. Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e QSUT-së. Në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë janë paraqitur dy efektivë policie, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar.

Burimi: Zhurnal.mk / Top Channel / Report TV